Konferenca e sotme per shtyp rreth
prezantimit te studimit ‘Pretendimet e Serbise mbi ‘Investimet’ ne Kosove nga
Ndermarrjet Shoqerore Serbe pas Vitit 1999 ne Kontekstin e Marreveshjes Finale
Eventuale ndermjet Kosoves dhe Serbise’
Sot, në Prishtinë kemi vazhduar serinë e
prezantimeve të studimeve rreth fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi. Në
konferencën e sotme për shtyp, Kushtrim Palushi ekspert i jashtëm i Institutit
RIDEA, ka prezantuar studimin e radhës ‘Pretendimet e Serbisë mbi ‘Investimet’
në Kosovë nga Ndërmarrjet Shoqërore Serbe pas Vitit 1999 në Kontekstin e
Marrëveshjes Finale Eventuale Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’.
Disa nga rekomandimet kryesore të këtij
studimi janë me sa vijon:
1. Kosova dhe Serbia duhet të bien dakord
për një proces të sukcesionit së shtetit dhe të nënshkruajnë një marrëveshje të
detyrueshme për çështjet e sukcesionit së shtetit, të ngjashme me atë të
nënshkruar midis republikave përbërëse të ish-RSFJ-së, me ç ’rast do të
adresonin çështjet e paraqitura në këtë punim dhe çështje të tjera, të tilla si
borxhet, pensionet, trashëgimia kulturore, arkivat dhe çështjet e tjera të
trashëgimisë së shteteve.
2. Kompleksi i Minierave i Trepçës dhe
rezervat minerare nëntokësore nën menaxhimin e saj janë pronë e Kosovës dhe
vetëm Kosova ka të drejtën sovrane për të shfrytëzuar burimet e saj natyrore
sipas rregullave të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare. Serbia nuk mund të
pretendojë të drejtën e pronësisë për Trepçën dhe asetet e saj, pasi ato janë
ndërtuar dhe shfrytëzuar nga RSFJ gjatë ekzistencës së saj. Trepça duhet të
njohë, pasi të dokumentohen, borxhet dhe detyrimet e saj ndaj kreditorëve
privatë si Mytileneos AS dhe SCMM, dhe këto borxhe duhet të paguhen nga Trepça
ose Shteti i Kosovës si pronar i Trepçës.
3. Borxhet ndërkombëtare të RSFJ-së të
marra për financimin e ndërmarrjeve shoqërore, siç është Trepça dhe Qendra e
Skijimit të Brezovicës, do të trajtohen me Serbinë në kontekstin e trashëgimisë
së borxheve në baza të barabarta. Serbia nuk mund të pretendojë dhe Kosova nuk
duhet të njohë pretendimet e Serbisë si Kreditor i ndërmarrjeve shoqërore, si
rezultat i kredive të dhëna për ndërmarrjet shoqërore nga RSFJ përmes Fondit
për Kreditimin e Zhvillimit të Republikave dhe Rajoneve Autonome më Pak të
Zhvilluara.
4. Dhoma e Posaçme për Çështjet e
Privatizimit të Gjykatave të Kosovës duhet të vendos mbi pretendimet e bëra nga
kreditorët privatë ndaj ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, sikurse janë Trepça,
Qendra e Skijimit në Brezovicë dhe të ngjashme, dhe këto kërkesa duhet të
përmbushen nga të ardhurat e realizuara nga shitjet e aseteve të këtyre
ndërmarrjeve, ose nga Republika e Kosovës në rast të nacionalizimit.
5. Pasuritë e ndërmarrjeve shoqërore duhet
të njihen, mbrohen dhe kompensohen. Pasi që Kosova dhe Serbia kanë pasuri në
njëra-tjetrën, ato mund të bien dakord për shkëmbimin e këtyre aseteve, me
kusht që një shkëmbim i tillë të bëhet në baza të barabarta. Nga ana tjetër,
Kosova dhe Serbia mund të bien dakord për kompensimin e aseteve, të cilat do të
duhej vlerësuar përmes një procesi të vlerësimit profesional. Të drejtat e
qytetarëve privat ose të subjekteve private mbi pasuritë, në rast se janë
përfituar në mënyrë të drejtë duhet të mbrohen sipas Konventës Evropiane për të
Drejtat dhe Liritë e Njeriut ose të kompensohen nga shtetet në rast të
transformimit apo shtetëzimit të tyre.
6. Një proces i restituimit të të drejtave
pronësore duhet të iniciohet në rast se Serbia insiston në pretendimet mbi
pronat në Kosovë. Procesi i restituimit të të drejtave pronësore do t’i
mundësonte qytetarëve edhe entiteteve private në Kosovë, pronat e të cilëve u
privatizuan, konfiskuan ose transformuan gjatë periudhës ndërmjet 1989 deri në
vitin 1999 për të kërkuar njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronat që u transformuan
në mënyrë diskriminuese gjatë kësaj periudhe.
7. Të drejtat legjitime të kreditorëve
duhet të njihen dhe në masë të mundshme të mbrohen ose të kompensohen nga të
ardhurat e krijuara nga procesi i privatizimit ose nga buxheti i Kosovës.
8. Në rast se Kosova dhe Serbia nuk mund
të bien dakord mbi çështjet e mësipërme dhe çështje të tjera të ndërlidhura me
procesin e sukcesionit të shtetit, ato mund të themelojnë një tribunal
arbitrazhi i ngjashëm me Komisionin e Badinterit për RSFJ-në, i cili përfundimisht
do të zgjidhte të gjitha çështjet e pazgjidhura.